Imam Gazali

Imam Gazali është një alim  (dijetar) i madh e ndriçues, si në lindje ashtu edhe në perëndim. Duke habitur dhe joshur mendjet, Imam Gazali është një yll plot dritë, që i ndriçon mendjet e myslimanëve, dhe u bë i njohur me epitetin:

 

HUXHXHETU’L-ISLAM

(Dëshmia e Islamit)

Emri i tij është Muhammed bin Muhammed bin Ahmed, e është njohur edhe si Ebu Hamid. Ka lindur në vitin 450H (1058) në fshatin Gazale afër qytetit Tus në Iran, ndërsa ka vdekur në vitin 505H (1111) në Tus. Babai i Imam Gazalit punonte me litar (gazzal: tjerrës), prandaj disa besonin se emri i vjen nga kjo. Por në fakt, emrin e ka marrë nga fshati i lindjes. Vet Gazali, shkruan: “Disa më kanë lidhur (me gazzal), por unë jam Gazali!

Babai i tij ishte i varfër dhe familjen e mbante me dredhjen e shitjen e litarit. I donte shumë dijetarët, prandaj gjithmonë shkonte në tubimet e tyre dhe i shërbente ata. Kur i dëgjonte, qante dhe i lutej Allahut Teala t’i falë një fëmijë fakíh (dijetar i fikhut). Duaja iu pranua, dhe Hakk Teala ia fali atij dy djem dijetarë, Ebu Hammidin – imamin e asaj kohe, dhe Ahmet Gazalin, gjithashtu dijetar.

 Babai vdiq e i la vëllezërit jetimë. Pak para vdekjes, i la shokut të tij amanet fëmijët dhe një sasi pasurie. Duke respektuar amanetin, personi punoi shumë në edukimin e fëmijëve, por pasuria shpejt u harxhua, e me këtë edhe mundësitë për edukimin e mëtutjeshëm të fëmijëve. Ai mendoi se do të ishte e përshtatshme t’i dërgonte ata në një medrese, dhe u tha: “Bijtë e mi, gjithë pasurinë tuaj e harxhova në edukimin tuaj deri tani. Unë jam i varfër e nuk kam fuqi t’ju ndihmoj më shumë. Gjeni strehim në ndonjë medrese”.

Me këtë rekomandim, Gazali hyri në medrese, studioi të gjitha dituritë zahir dhe batin (të dukshme e të fshehura), dhe për pak kohë u ngrit e u bë i famshëm në tërë botën. Ai mori mësim nga alimët (dijetarë) dhe udhëtonte për të mbledhur dituri, e gjatë udhëtimeve e gjente veten në shumë biseda diturie me dijetarë të ndryshëm dhe në këto biseda dëshmonte besimin e tij.

Gazalit iu paraqit një vorbull në shpirt për shkak të famës që i shtohej çdo ditë, e duke mos u kënaqur me madhështinë e saj doli prapë në udhëtim, me nijetin e haxhit. Shkoi në Hixhaz, e gjatë kthimit vizitoi Shamin. Një kohë qëndroi edhe në Kudus, ku vizitoi Mesxhidin Aksa dhe prapë u kthye në Sham ku qëndroi për afër dhjetë vite. 

Imam Gazali vizitoi edhe Egjiptin dhe një kohë qëndroi në Iskenderi (Aleksandri). Ai kishte dëgjuar për drejtësinë dhe famën e Sulltan Jusufit, sundimtar i Magribit, dhe u nis për ta takuar por rrugës merr lajmin për vdekjen e Sulltanit, prandaj ndërron drejtim dhe kthehet në vendlindje, në Tus. Por, veziri i ri i Selxhukut, Fahru’l Mulk e vizitonte Gazalin, e me qëllim që vendi i tij të përfitojë nga ky diell i diturisë, me këmbëngulje e caktoi Gazalin muderis (profesor) në medresenë e Nisaburit (Nizamije). Gazali hoqi dorë nga bisedat me dijetarë dhe u fokusua në mësimdhënie. Tashmë, kishte filluar një jetë të qetë. Nga fundi i jetës, Gazali u kthye përsëri në Tus, ku ndërtoi një shtëpi e cila në një anë kishte medresenë për fukaha (jurisprudencë), e në anën tjetër një teqe për sufitë. Gazali i vazhdoi bisedat, duke kaluar një kohë me dijetarët e fik’hut, e kohën tjetër me zotëruesit e tarikatit. Ditët e fundit të jetës i kaloi me ibadet dhe me lexim të Kur’ani Kerim.

Medh’hebi i tij është Shafi, dhe në kohën e tij ishte dijetari më i madh i kësaj shkolle. Ka të tillë që thonë se ishte edhe muxhtehid (dijetar me renome në islam, që nxjerrë vendime mbështetur në Kur’an e hadith). Imam Muhammed bin Jahja ka thënë se Imam Gazali është Shafiu i dytë, ndërsa ata që kanë parë kemalatin (përsosmërinë) e jashtme të Gazalit kanë thënë:
”Sytë nuk kanë parë një dijetar të përsosur si Imam Gazali”. 

Njëri nga alimët thotë: “Ne nuk mund ta vlerësojmë Gazalin. Gazalin vetëm mund ta kuptojmë, aq sa kemi aftësi dhe dituri”,

e Imam Fahreddin Razi ka thënë:
”Allahu Teala i ka mbledhur të gjitha dituritë në një kupolë, e Gazalin e ka bërë që të përfitojë nga kjo (përmbledhje e diturisë) dhe të jetë i dijshëm”.